Meet Joan Kamberaj, Hermes boy!

Çfarë bën një artist i stop motion kur bie në kontakt me gjigandin e modës Hermes? Përgjigjemi në kor: Kryevepra!

Ju prezantojmë me Joan Kamberaj, një artist mega të talentuar, i cili ka shtuar në CV-në e tij një bashkëpunim të suksesshëm me Hermes. E dimë çfarë po mendoni o shpirtra kuriozë, i dimë edhe pyetjet që ju vërshojnë në kokë si prurjet e Amazonës (Si lumi, jo pemët): “Si? Qysh? Tek?”

Lexoni më poshtë sepse do t’jua shuajmë kuriozitetin me një intervistë të shkurtër me Joanin (4 pyetje sepse ka shumë punë dhe njeh CEO-n e Hermes). *Yaaay*

  

Si ka nisur rrugëtimi drejt animimit?

Animacioni ka nisur pasi zbulova se çfarë është një video. Në atë periudhë, kur isha në klasë të shtatë, kam parë për herë të parë dokumentarin “The Pixar Story”, një film i cili është i veçantë për mua. Më shtyu të kërkoja pafund mbi artin e VFX.

 

Mund ta ndash me ne eksperimentin e parë me animacionin? (Nuk ta vjedhim talentin)

Eksperimenti im i parë me animacionin ka qenë me teknikën “stop motion”, me anë të së cilës mund të shohësh shumë qartë mënyrën si ndërtohet iluzioni i një imazhi lëvizës. Kur shikon rezultatin e disa "frames" të cilat krijojnë një iluzion, është diçka magjike.

 

Hermes është epoka më e ndritur në krijimtarinë tënde deri më tani. Si u mundësua kontakti me gjigandin e modës? Çfarë u bëri përshtypje dhe si mund ta përshkruash si eksperiencë? 

Hermes më kontaktoi me një e-mail, për të cilin fillimisht mendova se ishte një spam. Një nga drejtueset e projekteve më shprehu se punët e mia ishin shumë të përshtatshme me stilin dhe materialet e tyre. Pas një oferte për bashkëpunim me mbi 15 video, vazhduam për akoma më shumë. Në këtë moment, në treg po ndodh një trend ku kompanitë e mëdha bashkëpunojnë jo vetëm me studio prodhuese, por edhe me shumë artistë të pavarur. Më bëri shumë përshtypje fakti që konceptet ishin në dorën time,  mund të krijoja çfarë kisha dëshirë. Gjithashtu, isha shumë i lumtur për faktin që videot u aprovuan menjëherë, pothuajse pa asnjë kërkesë për ndryshime, diçka që nuk e prisja kurrë dhe që më bëri të ndihem akoma më i vlerësuar.

  

Cilat janë pritshmëritë e tua mbi bashkëpunimin me Hermes? Duke marrë parasysh se është një brand me shumë prestigj, “publiciteti” si ka ndikuar në karrierën tënde dhe në bashkëpunime e projekte të tjera?

Bashkëpunimi me Hermes më ka ndikuar shumë në këtë periudhë. Kam patur shumë kërkesa nga klientë të rinj, të cilët i përkasin industrive të ndryshme, por është shumë e rëndësishme të mbash një balancë me klientët aktualë dhe ata të rinj. Një bashkëpunim i tillë të ndihmon të arrish në një nivel më të lartë. Mbi të gjitha, ajo që ka më shumë vlerë për mua është procesi i krijimit të një pune.

 

Për mendimin tonë, duhet ta shikoni patjetër çfarë kryeveprash bën Joani dhe ja ku e keni websiten: www.joankamberaj.com dhe Instagramin: @joankamberaj

Mos kërkoni Facebook se nuk është më cool.