MEET KORADO ALIAJ, THE STAND-UP MAN!

Tirana është kthyer në një stendë për stand-up-in, zhanrin që përball humoristin me publikun. Se cila është sasia e ankthit dhe emocionit që ndjen një humorist përpara se të bëjë stand-up (Insert Eminem – Lose Yourself* His palms are sweaty, knees weak, arms are heavy) ne nuk e dimë, por me siguri e di Korado, një i ri i cili ka humor të lezetshëm dhe performon në bare të ndryshme të Tiranës.

Me siguri e keni parë, është një njeri i qeshur, që vesh ca bluza oversize me ngjyra të forta, sepse është e vështirë të shikosh Koradon mes kaq shumë vajzave të bukura, duuuh.

Gjithsesi, njihni Korado Aliaj, një super tip dhe personazh, i cili pranon çdo shaka, edhe ato me kg e tepërt.

 

Si lindi ideja për të bërë humor në nivelin e stand-up?

Ideja për stand-up lindi nga nevoja organike që ka njeriu që në gjenezë për të mbushur zbrazëtinë që lë në shpirt mungesa e dashurisë prindërore në moshë të vogël, por edhe më tej. Në momentin kur ti nuk i përmbush planet që familja ka vendosur për ty, kur nuk përshtatesh me aristokracinë dhe klasat e larta, stand-up lind si një revoltë kundrejt sistemit dhe personave që e ndërtojnë këtë sistem. (#KoradoPërPresident)

Mund të them që stand-up për mua është si ai tatuazhi që bën kur je adoleshent për inat të prindërve. (OTR te kyçi i dorës?)

Kjo, ose thjesht sepse një ditë të bukur vere ishim në një lokal në Tiranë, ku m’u dha mundësia që ato gjëra që kisha shkruar më parë t’i shfaqja. Në fillim ka qenë një transportim i shakave midis shokëve që dolën në publik dhe hap pas hapi nisi të marrë më shumë formë.

 

A ke ndonjë komedian të preferuar te i cili “vjedh” ndonjë batutë, gjestikulacionin, ose thjesht mënyrën si i drejtohet publikut?

Unë jam një fans tejet i madh i humorit britanik. Vdes! Mbaroj! (Weird flex, but okaaay).  Më pëlqen më shumë sesa një gocë e re pëlqen një qen labrador ose golden teksa bën xhiron nga liqeni (Dyshoj!). Mund të them me siguri të madhe se komediani im i preferuar është Ricky Gervais. Mund të jetë edhe Bill Burr, ose Dave Chapelle, ose Daniel Sloss. Ose jo, jo. Padyshim është Ricky Gervais!

Të vjedh kështu haptazi, bruto jo, ama ndikim kam patur nga të sipërpërmendurit, me saktë Ricky Gervais. Ritmi i batutës, tempo që ai jep, kam vënë re që është e ngjashme. Ah po, edhe dashuria për vetveten, edhe këtë e kemi njësoj, sepse jemi modestë (Korado, njeriu më modest në botë).

 

Si e përshkruan eksperiencën tënde të parë përballë publikut?

A mund të flasim për diçka më pak personale? Më pyet nëse më kanë dhunuar në moshë të vogël. (Jo, sepse e dimë tashmë, drama queen).

Fjala kyçe është stres. Për mua ishte gjithçka ose asgjë dhe do ishte kontakti i parë me një publik të drejtpërdrejtë. Duke qenë se kam imagjinatë pak të shfrenuar, kisha menduar për çdo opsion: nga më i thjeshti, deri tek domatja në fytyrë (Next time), largimi nga lokali i hipur mbi gomar mbrapsht (“Komedia Hyjnore”, jo vajza, nuk lexon vërtet Korado, thjesht intervista) deri tek fakti që disa persona që s’duhet të takoheshin me njëra-tjetrën në të njëjtin vend me mua, aty takoheshin (Kjo është komplet imagjinare).

E nisa pjesën me nja dy të gërthitura, të shfryja pak avull dhe ja ku jam tani, kam akoma stres përpara çdo pjese.

Mesazhi: “Të shfrysh nuk zgjidh gjë!” (Por ajo që thotë Shreku “Më mirë jashtë se brenda” është një gënjeshtër?)

Cilat janë pritshmëritë e tua në këtë zhaner?

Kush më njeh e di që jam optimist dhe pak idealist. A ka mundësi ta përhapim sa më shumë?
Të ketë një vend në Tiranë ku ti e di që ka një natë të caktuar, s’po themi disa netë, por një natë ku mbrëmja fillon në 9 ose në 10 (21:00-22:00 për borgjezët) dhe deri në orët e vona të bëhet stand-up.

Këto janë për zhanerin në përgjithësi këtu, ndërsa përsa më përket mua, do them atë që kam për të thënë gjithmonë në një mënyrë ose në një tjetër, padyshim.