ART DIXHITAL PËR VIDEON E “TABULA RASA” TË BJÖRK

Kur vjen fjala tek Björk nuk është aspak e papritur që shpirtërorja të manifestohet në mediumin dixhital. Videoja e re muzikore për këngën e saj “Tabula Rasa” vjen me regjinë e artistit vizual Tobias Gremmler.
Fytyra dhe trupi i këngëtares janë në një proces transformimi të vazhdueshëm që ndjek ritmikisht pjesët e këngës. Figura e renderizuar dixhitalisht që pluskon në ajër, me një pamje humanoide që ngjason me elementarët e natyrës, shpaloset dhe mblidhet në varësi të gjendjes që përcjell.
“Tabula Rasa” është pjesë e albumit të fundit nga Björk, “Utopia”.
Së fundmi ylli ndërkombëtar nga Islanda është duke realizuar “Cornucopia”, turneun e saj më të veçantë skenik.