Stefano Romano: Krijimtaria Artistike e Lidhur Ngushtë me Jetën në Shqipëri dhe Dashurinë për Artin Publik

Stefano Romano është një ndër artistët më frymëzues dhe në zë në fushën e Artit Publik dhe më gjerë. Artisti italian po e zhvillon krijimtarinë e tij në Shqipëri prej 14 vitesh tashmë dhe rreth 90% e artit të tij frymëzohet nga marrëdhëniet me publikun.

Në një intervistë ekskluzive për Telekom Electronic Beats, flet për jetën e tij në Shqipëri, krijimtarinë, sfidat dhe dashurinë për muzikën si një formë e pazëvendësueshme e artit. 

Prej 14 vitesh jeton në Tiranë. Cila ishte arsyeja pse vendose të vish dhe të vazhdosh të jetosh këtu?

Dikur punoja si asistent për Adrian Pacin dhe ajo ishte arsyeja dhe mënyra si erdha në Shqipëri fillimisht. Kam kuruar disa ekspozita dhe jam përpjekur të bashkëpunoj jo vetëm me publikun, që është fokusi im kryesor por edhe me artistë të tjerë dhe veprat e tyre.

Shqipëria ishte një vend në ndërtim dhe unë kam besuar që revolucioni vjen nga periferia. Për mua ishte një mundësi për ta parë vendin nga vija, (Milanon) me një sy tjetër duke jetuar këtu.

Shqipëria ka qenë një mundësi për ta parë realitetin tim nga një këndvështrim krejt ndryshe, ashtu si muzika tingëllon ndryshe dhe projekton emocione të ndryshme në momente të ndryshme. Vazhdon të jetë kështu sërish.  

Nuk më pëlqen ta them në këtë mënyrë, por kam qenë ndër të parët që ka ndërmarrë nisma pionere në lidhje me artin në hapësirën publike duke filluar nga viti 2005, por së fundmi fokusi im ka qenë mbi punët e mia dhe jo i orientuar drejt kurimit të ekspozitave.

Mua më intereson shumë arti në hapësirën publike sepse më intereson marrëdhënia me publikun dhe hapësirën. Madje krijimtaria ime është tërësisht e orientuar drejt publikut dhe mban qendrime sociale duke trajtuar probleme të shoqërisë sot.

Cilat ishin fillesat e Artit në Hapësirat Publike në Shqipëri?

Në lidhje me Artin në Hapësirat Publike në Shqipëri, projekti i parë u zhvillua në vitin 2005. Asokohe, përveç Galerisë Kombëtare, nuk ekzistonin entitete të tjera kulturore si ato që gjenden sot si FAB, Miza, Zeta, T.I.C.A, etj.

Njerëzit konceptonin si art vetëm atë që gjendej në Galerinë Kombëtare. Dhe ishte për të ardhur keq pasi arti në hapësirat publike nëpër botë ishte eksploruar shumë më parë.

Realiteti i Tiranës dhe ndryshimet që po pësonte si qytet ishin shumë më interesante se të shihje një ekspozitë në galeri. Ishte pikërisht momenti kur krijova një kornizë konceptuale që u emërtua “Insurgent Space” dhe ftova artistë të huaj dhe Shqipëtarë të mendonin mbi një projekt specifik në një hapësirë të Tiranës. Pavarësisht projektit që propozonin, ekspozimi do të zgjaste vetëm një ditë.

Në kuadër të Projektit "Insurgent Space", Enisa Cenialiaj (2005)

Implementuam konceptin Rave. Diçka lind në një vend të caktuar për një vend të caktuar, fillon, jetohet dhe mbaron. Në mënyrë që arti të mos pushtonte hapësirën publike, por t’u ofronte kalimtarëve të zakonshëm diçka ndryshe çdo herë që kalonin aty dhe të nesërmen çdo gjë të kthehej siç ishte, shfaqjet ishin të përkohshme.

"Black Box", në kuadër të projektit "Insurgent Space", Helmut Dick (2006)

Projekti zgjati nga Janari i vitit 2005 deri në Shtator të vitit 2006 dhe shfaqëm 46 projekte të ndryshme në hapësira të ndryshme. Kemi shfrytëzuar kinema Agimin që asokohe ishte e mbyllur, sheshin përballë Kombinatit të Tekstileve, Kinostudion që gjithashtu ishte e mbyllur, pallate në ndërtim në Don Bosko, çdo hapësirë, madje edhe në televizion. Përpjekjet për art publik më pas kanë qënë one-shot nga artistë të ndryshëm, por pa vazhdimësi.

Cilat kanë qenë disa nga punët për të cilat ruani kujtime më të veçanta?

Një punë e imja e emërtuar “HISTŒRI Removing” kishte në thelb problematikën e shembjes së Piramidës. Performanca konsistonte në një çarçaf të gjatë sa një faqe e Piramidës në të cilën shkruhej HISTERI, fjalë që ndryshon me vetëm një gërmë nga fjala HISTORI. Çarçafi u hap në majë të Piramidës dhe proçesi është dokumentuar me video.

DZT collective - "HISTŒRI Removing" (2011)

Piramida nuk do të duhej të prishej jo për arsye romantike por për çështje historike. Pavarësisht se simbolizon një periudhë jo aq të dashur të historisë në Shqipëri sërish mbetet një tregues i së shkuarës dhe asaj që dikur na përfaqësonte. Sulmi ndaj kujtimeve të hidhura të periudhës së komunizmit rrezikon që e shkuara të përsëritet në një formë tjetër.

Kjo ka qenë një marrëdhënie me publikun pasi fëmijët e komunitetit rom që u përfshinë ishin të rastësishëm aty në një hapësirë publike. 

Një tjetër projekt ështe realizuar ne kuadrin e Bienales së Mesdheut që u hap në Tiranë dhe që në thelb kishte Bashkimin Europian ose më saktë kufijtë, duke u nisur nga fakti që jam një italian i cili jeton jashtë kufijve të ashtu-quajturës Europë e Bashkuar.

Duket sikur shtetet funksionojnë në mënyrë individuale, koncept që për mua është problematik. Himni i Europës së Bashkuar është pjesa e katërt e Simfonisë së Nëntë të Bethoven-it.

Bashkëpunova me një orkestër në teatrin Metropol. Publiku pjesëmarrës priste në rradhë dhe hynin në një dhomë të teatrit ku i priste vetëm një muzikant, përshembull një violinist që luante vetëm pjesën e vet të himnit. Më pas hynte një tjetër që gjente një muzikant tjetër që vepronte në të njejtën mënyrë. Shpërbërja e himnit personifikonte individualizmin e shteteve të Europës. I njejti projekt do të zhvillohet në Milano në Prill.

Stefano Romano - Quarto movimento (2017)

Reagimet ishin të jashtëzakonshme kur njerëzit ndiheshin të vetëm në dhomë dhe synoj ta zhvilloj këtë koncept më tej.

“Teatri i Gjelbërimit” ka qenë një projekt tjetër, për të cilin kam punuar si kurator në bashkëpunim me Vincent Van Gerven Oei dhe për të cilin mblodhëm informacione mbi vepra të realizuara nga artistë Shqiptarë dhe të huaj në hapësirën publike në Shqipëri që nga viti 1998.

"Teatri i Gjelbërimit" që nga emërtimi ishte një lloj reflektimi në lidhje me artin jashtë hapësirave institucionale, gjë që së fundmi është diskutuar shumë në botën kulturore në lidhje me pjesëmarrjen e artistëve.

Titulli u huazua nga projekti i një arkitekti italian, Pietro Porcinai i cili në vitet 30’ i bëri një propozim mbretit Zog për të ndërtuar një teatër të gjelbër në pallatin mbretëror. Ne hulumtuam pasi projektet e arkitektit që nuk u realizuan gjenden këtu dhe kjo ishte pikënisja.

Cilat janë sfidat me të cilat je përballur në rrugëtimin tënd artistik në Shqipëri?

Sfidat...

Në Shqipëri nuk ekzistojnë arkiva që të mund të lehtësojnë punën kërkimore dhe ka qenë e vështirë të kontaktoja artistë apo kuratorë që mund të më jepnin infomacione. Mungojnë shpesh materiale për të prodhuar vepra ose për të krijuar mundësi bashkëpunimi. Këto aspekte e vështirësojnë punën në Shqipëri, por sfida reale është të reziztosh dhe të vazhdosh të krijosh këtu.

Si janë marrëdhëniet e tua me muzikën?

Nuk e imagjinoj dot jetën pa muzikën. Në pjesën më të madhe të projekteve të mia ka muzikë. Në Shkurt do të shfaq një ekspozitë në galerinë Zeta. Bëhet fjalë për një seri monokrome me stilolaps dhe një seri videosh dedikuar poezive. Por në këto video, muzika merr një rëndësi shumë të madhe.

Po bashkëpunoj më muzikantë të ndryshëm për të krijuar tinguj që shkojnë përtej thjesht muzikës, ku përfshihen tinguj të xhirimeve duke krijuar një lloj ambienti. Muzika është e rëndësishme shumë për punën time krijuese. Konkretisht muzika që do të përfshihet në ekspozitën e Shkurtit quhet elektroakustikë dhë bashkëpunëtorët e mi merren pikërisht me këtë rrymë. Ekspozita do të hapet në datën 15 dhe zgjat një muaj.

Cilat janë parashikimet tuaja në lidhje me të ardhmen e artit në Shqipëri?

Do përdorja një shembull. Nëse për të ndërtuar një ndërtesë relativisht të lartë të nevojiten themele të mira, për të ndërtuar një qiellgërvishtës nevojiten shumë më shumë përpjekje për themele të forta dhe të ngulura thellë.

Mendoj që ka artistë në Shqipëri por është një moment i vështirë. Nuk ka patur kaq shumë mundësi sensibilizimi mbi artin si sot. Dikur kishte uri dhe agresivitet në aspektin e mirë për të ndërmarrë nisma. Sot ndodh që artistët kanë mundësi për të bërë diçka, por qëndrojnë pasivë.

Në lidhje me vazhdimësinë, është e nevojshme të bëhet një riformim i mënyrës si mësohet art që të mund të krijohet një trend.

Streetart dhe performanca të tilla të ngjashme janë përhapur momentalisht dhe shpresoj të lindë një trend apo rrymë e re që t’i kanalizojë artistët drejt të bërit art të mirë.

Pse art që në fillim?

Nxitja për t’u marrë me art!

Më ka pëlqyer gjithnjë arti edhe pa e kuptuar mirë çfarë ishte, por kam qenë edhe shumë racional. Dikur zgjodha të studioja në liceun shkencor dhe pas një viti kuptova që nuk bënte për mua duke u zhvendosur më pas në liceun artistik.

Edhe aty nuk mundesha ta kuptoja realisht rëndësinë. Një ditë, një profesor më shihte tek pikturoja me penel dhe pranë kisha një kontenier të mbushur me bojë në ngjyrë blu.

Profesori mi mori duart dhe mi futi në kontenier. Kur i nxorra dhe i pashë të lyera me bojë më pyeti nëse ma shpifnin? Por mua më pëlqente, e ndjeva në trup dhe ky është arti për mua, sensacioni që përjetova atë ditë.