EKSPERIMENTI MË I MADH I KONTAKTIT ME SY NË TIRANË

Përjetoni kontaktin me sy si asnjëherë më parë.

Ku, kur dhe si i shohim të tjerët janë pjesë e fenomenit “Kontakt me sy,” një nga mënyrat tona më të rëndësishme dhe primitive të komunikimit. Kontakti me sy luan një rol shumë thelbësor në komunikim. Të ndjekurit të dikujt me sy është mënyra më e mirë për të marrë informacionin e duhur në lidhje me çdo situatë.

Tentojmë të jemi më ngulmues me shikim kur komunikojmë mbi diçka me shumë interes në nivel personal dhe kjo është mëse e dukshme. Nga ana tjetër, tërhiqemi kur hezitojmë të shprehemi apo kur mendohemi më shumë.

Zakonisht ndodh të ketë kontakt reciprok me sy gjatë ndërprerjeve të qëllimshme të diskutimeve, të qeshurave apo kur u përgjigjemi pyetjeve të shkurtra.

Por, pse e gjithë kjo hyrje në lidhje me kontaktin me sy?

Gjithçka filloi kur Peter Sharp, nismëtari i iniciativës, bëri një prezantim për TEDx duke frymëzuar shumë njerëz drejt pjesëmarrjes në një prej eksperimenteve më të mëdha të kontaktit me sy. Ftesa për pjesëmarrje po bëhet në çdo vend të botës dhe qëllimi është të qenurit pjesë e një momenti të ndjerë me njerëz të njohur dhe të panjohur.

 

Në datën 23 Shtator 2017 kjo nismë na kujton që përtej diferencave tona, ka ende dashuri dhe humanitet. Duke ndarë një minutë kontakti me sy tregojmë interes dhe dhembshuri për realitetin e njerëzve të tjerë. Kjo është një ditë globale e paqes.

Ky projekt, pjesë e www.eyecontactexperiment.com, kordinohet nga The Liberators International tashmë edhe në Tiranë. Ditën e Shtunë, në datë 23 Shtator mund të bëheni pjesë e këtij organizimi në Liqenin Artificial. Pjesëmarrja, do të kontribuojë në krijimin e një mesazhi videozanor global për paqen dhe lidhjet humane në botë.

Detajet në lidhje me organizimin mund t’i gjeni në faqen zyrtare të eventit në Facebook.