Solomun në Tiranë: Më e mira e House Europian në Akademinë e Arteve

8 Shtatori në Tiranë ka rezervuar një surprizë të këndshme për të gjithë të pasionuarit pas muzikës House dhe asaj elektronike. Në Akademinë e Arteve do të jetë momenti për t’u bërë pjesë e një festimi me tone të larta dhe emocione të papërshkrueshme. Nëse kërkoni ta mbyllni verën me muzikë të mirë në një atmosferë elektrizuese, pasioni i Solomun për muzikën dhe performancat ne skenë janë ato që ju duhen.

Win Music Freedom – STAY YOU, platforma e eventeve është aktive në Kosovë dhe Maqedoni që prej vitit 2012 dhe në Shqipëri që prej vitit 2016. Këtë herë përzgjedhja e Win Music Freedom – STAY YOU është pikërisht DJ boshnjak, Mladen Solomun, i mirënjohur për kontributin në muzikën moderne elektronike dhe House në Europë.

Nata e gjatë do të fillojë në orën 21:00 dhe do të mbarojë në orët e para të mëngjesit. Në një intervistë, Solomun është shprehur: “Njerëzit përjetojnë emocione. Kështu që pse të mos i përjetojnë në pistën e kërcimit?” Ai do të ofrojë performancën e tij me famë në Europë dhe gjithçka që ju mbetet është të shijoni organizimin aty ku e bukura vlerësohet më mirë, në Akademinë e Arteve. Solomun e kryeson listën e tij të sukseseve me çmimin si “DJ më i mirë i Vitit” nga Revista MixMag në vitin 2012, çmim të cilin e fitoi për tre vite rradhazi.

Bazat e muzikës së Solomun janë hip-hop, soul, funk dhe R&B. E megjithatë muzika e tij është konsideruar gjithnjë “house, por me tinguj të thellë funky, melodi euforike dhe vokale të ngarkuar emocionalisht.” Mladen Solomun është një nga themeluesit e Diynamic, shtëpi underground e muzikës elektronike me bazë në Hamburg, Gjermani duke bërë revolucion në fushën e muzikës së mirë elektronike.

Tashmë nuk do t’ju duhet ta dëgjoni muzikën e Mladen vetëm në radio apo në playlist-in tuaj por mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në një mbrëmje të ndriçuar nga drithërimat elektronike dhe prania e një audience po aq të pasionuar pas kësaj rryme.