Abel DJ: Jeta e natës në Tiranë e bukur, por e rrezikshme

Jeni Dj që në kohën kur ky profesion tingëllonte cuditshëm në Shqipëri. Si nisi karriera juaj?

I thonin Tixhej atëherë (qesh) Ka nisur krejt papritur në vitin 1998 në një nga diskotekat e atëhershme. Fati im ishte që e kishin në pronësi njerëz afër familjes sime dhe për më tepër që kisha edhe vëllain e madh menaxher aty. Edhe pse atëherë mundësitë ishin shumë të pakta në krahasim me sot, ishim shumë të frymëzuar që të bënim më të mirën për audiencën që kishim.

Si është jeta e natës në Shqipëri?
Hmmm... E bukur, e frikshme... deri diku edhe e rrezikshme. Më përpara ka qënë më e thjeshtë që njerëzit të kënaqeshin me atë çfarë luhej sepse jo të gjithë kishin akses interneti ose me artistë të jashtëm. Tani është komplikuar pak, përveç teknologjisë ka hyrë dhe shampanja në mes, që të gjithë bëjnë pak kritikun e DJ, por harrojnë që aty janë për tu argëtuar. Gjithsesi kam fatin që kam disa njerëz që më ndjekin dhe krijojnë një atmosferë shumë të këndshme aty ku luaj.


Jeni angazhuar sëfundmi me Electronic Beats. Si është përqafuar nga publiku shqiptar një rrymë relativisht e re për vendin tonë?
Electronic Beats është diçka shumë e bukur që disa njerëz të mirë ma besuan mua që ta beja. Nuk mundet të them që e kanë pritur mirë apo keq sepse është veçse fillimi dhe më tepër kanë komentuar pjesën time të Hostit të programit, pasi kjo u vret pak veshin. Kam besim që Electronic Beats me eventet dhe frymën që po ofron do të bëjë diferencën. Por çdo gjë e mirë ka nevojë edhe për kohë të kuptohet pasi fryma e tregut shqiptar për momentin pak "gjellë" i themi ne .


Remixi juaj i fundit i është bërë njërës prej këngëve më të njohura shqiptare, nga një prej legjendave të muziës sonë Nexhmije Pagarusha. Nga ju erdhi frymëzimi?
Bareshën si këngë për herë të parë ma ka treguar një shok dhe koleg nga Presheva në fillim 2015. U fiksua që unë mundet t'i bëja diçka shumë të bukur pasi nga netët e Abelomanisë kisha nisur netët FolkLorite, dhe une s'ja prisha edhe pse jam pak "zog" i ri në produksion. Pas jo më shumë se 2 muajsh (diçka prill 2015) unë e nxora një version që e luaja në netët e mia. Pati shumë impakt tek audienca dhe më bëri që ta çoja deri në fund si produksion. Për momentin është Unofficial re-make.

Cilin do të veconit si momentin më të bukur të karrierës suaj?
Çdo party ka një veçanti të vetën por mua më ka mbetur në mendje një set 1 orë e 30 minuta që kam bërë në CalaBasa Ibiza në 2013. Në 2015 në France "Fette della musique" ku edhe me ngatrruan shumë media për dj Francez se kam luajtur me fanellën e Lorik Canës dhe Electronic Beats në shesh me Fatboyslim dhe Bebe Rexha. Janë momente që më plotesojnë në atë çfarë bëj dhe më japin shtysë për më shumë në momente të çuditshme që gjendesh shpeshherë në Shqipëri.

 

Po të hiqni dorë nga ky profesion keni menduar?
Sa të këtë lëkë jo njëhërë (qesh).. Nuk e kam menduar seriozisht deri tani. Gjendem shumë mirë në treg dhe s'është se me shkon ndonjëherë në mendje që ta lë si profesion. Ka momente të çuditshme që më bëjnë ta rimendoj, por si çdo gjë në jetë edhe ky profesion s'është se shkon vaj.

Cilat janë projektet tuaja më të fundit?

Projekte në sirtar . . . Sa të duash! Për momentin i kam 2 projekte që me qejf dua t'i nxjerrë në verë por si dihet. Si thashë edhe më sipër jam pak zog i ri në produksione dhe duhet edhe këtu pak punë. Gjithsesi ju garantoj që do këtë edhe ndonjë "shashkë" tjetër.

Intervistoi: Sashenka Ndreka