ÇFARË ËSHTË ADE?

Keni vënë re që shumë artistë, dhe jo vetëm, ndodhen në Amsterdam momentalisht? Të gjithë janë mbledhur për një arsye shumë të mirë. Si çdo vit në tetor në Amsterdam zhvillohet ADE, Amsterdam Dance Event. Shumë prej jush mund të mendojnë se ADE është thjeshtë një festival si gjithë të tjerët. E keni shumë gabim, ADE është më shumë se aq.

ADE zhvillohet në 5 ditë dhe i gjithë qyteti i Amsterdamit i dedikohet muzikës elektronike. Eventi është i ndarë në dy kategori kryesore: Day Program dhe Night Program.

Përgjatë Day Program zhvillohen konferenca, workshop-e, biseda, etj. Ato janë një mënyrë shumë e mirë për të krijuar kontakte dhe për të zbuluar të gjitha zhvillimet e fundit në lidhje me muzikën elektronike, si rrymat, teknologjia, idetë e reja, etj. Nëse puna juaj lidhet sado pak me muzikën elektronike ka shumë mundësi që tani ndodheni aty.

Festa zhvillohet në Night Program. Është e pamundur që të jesh prezent në të gjitha eventet kështu që duhet të filloni parapërgatitjet muaj përpara. Nëse jeni dashamirës të muzikës elektronike ky është një event që nuk duhet humbur pasi të gjithë DJ, producentët dhe record label më të mirë në botë ndodhen në Amsterdam.

Për këtë vit jeni vonë fatkeqësisht. Por nëse doni të ndiqni të gjithë artistët tuaj të preferuar, sigurohuni që tetori 2019 t’ju gjejë në Amsterdam.