ÇFARË DIMË DERI TANI PËR FILMIN MË TË RI NGA QUENTIN TARANTINO

Once Upon A Time in Hollywood [Na ishte një herë në Hollywood] është filmi i nëntë me metrazh të gjatë i regjisorit revolucionar Quentin Tarantino, dhe zhvillohet në Los Angeles gjatë vitit 1969 - i njohur ndryshe si kulmi i tendencave hippie në Hollywood. Dy personazhet kryesore janë Rick Dalton [Leonardo DiCaprio], ish-ylli  i një seriali televiziv western dhe dublanti i tij i përhershëm Cliff Booth [Brad Pitt]. Të dy kërkojnë sukses në një Hollywood të cilin nuk e njohin më. Por ata kanë një avantazh: ngjitur me shtëpinë e Rick banon Sharon Tate - e luajtur nga Margot Robbie. Përveç Di Caprio dhe Pitt, të cilët kanë bashkëpunuar edhe më parë me Tarantinon - respektivisht në filmat “Django unchained” dhe “Inglorious Basterds”, emra të tjerë si Al Pacino, Dakota Fanning, Tim Roth, Kurt Russel apo Mike Moh [që do vijë në rolin e legjendarit Bruce Lee]  janë konfermuar si pjesë e kastit të këtij filmi që pritet të jetë në sallat e kinemasë gjatë korrikut të vitit të ardhshëm.


Ky do jetë filmi i parë i regjisorit fitues të dy çmimeve Oscar pas atij të vitit 2015, “The Hateful Eight”. Në fillim thuhej se filmi do sillej rreth famëkeqit Charles Manson dhe vrasjeve të tij, por Tarantino tregoi vetëm pak javë më parë që Mansion Family do jenë më shumë një ngjarje në sfond dhe vetë filmi do fokusohet tek Hollywood-i i kësaj epoke. Ky film gjithashtu është i pari të cilin Tarantino nuk do e realizojë në bashkëpunim me The Weinstein Company, kompani me të cilën ai i shkëputi marrëdhëniet pas skandalit të akuzave seksuale ndaj producentit Harvey Weinstein.