Çfarë nuk Duhet të Humbisni nga “Qielli i Heshtur” në Teatrin Metropol.

Për ata që janë artdashës, kjo pjesë nuk mund të ketë kaluar pa u vënë re. Por, edhe për ata që nuk rrinë duke ndjekur me një frymë publikimet e sallave të teatrit në Tiranë në kërkim të një shfaqjeje që nuk ngjason me asnjë tjetër, me siguri që u kanë tërhequr vëmendjen fotografitë e instalacionit në hollin e Teatrit të Metropolit.

Qielli i heshtur jo më kot rikthehet sërish në skenën “Shekspir” [dhe bën mirë sepse ne e humbëm premierën e tij të parë], pasi pavarësisht titullit oskimoron të një prej kurioziteteve më të pafundme të natyrës njerëzore, të bashkëvendosur me një karakteristikë kaq kufizuese, ai sjell për publikun e Tiranës tema të shkruara në vitin 1900 nga Loren Gunderson dhe njëkohësisht kaq aktuale për Shqipërinë tonë paragjykuese.

Njihuni me Henrietta Leavitt(1868-1921), një astronome amerikane e cila ia doli të bënte një nga zbulimet më të rëndësishme të kohës, që ndryshoi përgjithmonë botën e shkencës dhe astronomisë e gjithashtu perceptimin tonë mbi qiejt dhe tokën.

Historia e vërtetë e astronomes së shekullit të 19-të, Henrieta Levit, hulumton vendin e një gruaje në shoqëri gjatë një kohe me zbulime të mëdha shkencore, kur idetë e grave hidheshin poshtë derisa burrat të pohonin për ta.

Kur Henrieta Levit filloi punën në Observatorin e Harvardit në fillim të viteve 1900, nuk i lejohej të prekte teleskopin apo të shprehte një ide origjinale.

Këmbëngulja dhe hulumtimi i saj solli përparime të shumta brenda fushës, efektet e të cilave shtriheshin edhe përtej jetës së saj. Ajo zbuloi një mjet për të renditur madhësitë e yjeve duke përdorur pllaka fotografike, të cilat u bënë standard në këtë fushë. Levit gjithashtu zbuloi një mjet me të cilin astronomët u bënë më të aftë për të matur me saktësi distancat galaktike.

Ndërsa në kohën e saj të lirë, ajo përpiqet të matë dritën dhe distancën e yjeve, Henrieta gjithashtu duhet të marrë masën e jetës së saj në Tokë, duke u përpjekur për të balancuar përkushtimin e saj ndaj shkencës me detyrimet e familjes dhe mundësinë e për tu dashuruar.

Me një humor të mprehtë dhe organikë inteligjente, Armela Demaj është ndër të paktat regjisore femra të cilat punojnë vazhdimisht drejt rritjes së cilësisë dhe standartit të pjesëve të cilat vihen në skenën shqipfolëse, sfidë kjo e cila ngjason tepër me këmbënguljen për të zbuluar misteret e univerit nga Henrieta Levit, personazhit që ajo dhe mishëron.

Armela në 2018-ën dhe Henrieta në vitet 1900 ndajnë të njëjtat sfida dhe shqetësime: ndaj thyerjes së traditave të cilat qëndrojnë mbi femrat shqiptare ende si në shekullin e 19-të, ndaj arritjes së suksesit në një shoqëri tepër maskiliste, ndaj sfidës së përjetshme të qënies njerëzore për të kuptuar e mandej përmbushur misionin e ekzistencës së tij/saj. Fatmirësisht, njësoj si Henrieta, dhe Armela ka pranë vetes ata që besojnë tek aftësitë e saj dhe e ndihmojnë që të ecë gjithmonë përpara: trupën e aktorëve të Teatrit Metropol.

Dhe këtu nuk mund të mos përmendim një tjetër element i cili mbizotëron gjatë gjithë shfaqjes: kimia e pamohueshme midis kolegëve. Sonila Kapidani, Shkëlzen Berisha, dhe Verjana Abazaj janë ata të cilët sjellin personazhe që ndihen shumë reale dhe karizmatike gjatë të shfaqjes, aq sa nuk ishim të sigurt nëse kanë rastisur me tipologji të ngjashme apo janë aktorët të cilët krijuan karaktere kaq origjinale. Tek “Qielli i heshtur”, është ndima e motrës së Levit, Margaritës, ajo që ndihmon heroinën tonë të bëjë zbulimin më të madh të jetës së saj… sado që ironikisht Henriet ishte pjesërish e shurdhët.

Por, ndihma më e madhe për Henriet Levit ishte Eni, një mikeshë më shumë sesa një eprore, e cila e mbështeti atë dëri ditën e fundit, personazh i cili në skenë vjen nga Jonida Beqo. Nuk mund të mos gjejmë edhe këtu ngjashmëri midis Jonidës dhe Enit, një femre e cila nuk ndalet para një bote mashkullore, që në çdo moment lufton për të marrë të drejtat që meriton, luftë e cila duket e jetuar mirë në lëkurën e Beqos, njëkohësisht drejtoreshës së Teatrit Metropol, e cila tashmë ka krijuar emrin e saj si një eprore e vendosur dhe tepër vizionare.

Teatri Metropol na solli me “Qiellin e heshtur” një tribut ndaj femrave që hodhën hapat, të cilët sot nuk duhet t’i marrim për të mirëqena, luftën që ende nuk ka mbaruar për të patur të drejta absolutisht të barabarta, vizionin ende të papërmbushur për një jetë dinjitoze dhe lirinë absolute njerëzore për të qenë cilido dëshiron të jesh. Më shumë se sa një shfaqje e këndshme, është një tringëllimë në kujtesën tonë emocionale kolektive që kemi ende shumë për të bërë.

Dhe në këtë vazhdë sfidash dhe revoltash, në një erë të re ndryshimi kundrejt politikave kudo në botë, “Qielli i Heshtur” na sjell një dritë shprese kundrejt besimit dhe këmbënguljes. Dhe jo më kot, gjithçka matet me dritë.