Artistët Shqiptarë në Berghain!

Nëse do flisnim për një gur kilometrik që do shënonte një hap shumë të rëndësishëm jo vetëm në vlerësimin e artistëve tanë, por dhe në vetë prezencën e tyre në një ndër vendet më të famshme muzikore në botë, atëherë do tregonim sigurisht për performancën e Andrrës, Galouchës dhe Odës në Berghain!

Artistet nga Kosova sapo kanë publikuar në profilet e tyre private dhe njëkohësisht janë konfirmuar edhe në faqen zyrtare të Berghain në Berlin për performancën e tyre në datën 8 Prill.

Klubi më i famshëm muzikor, hedonist dhe ekskluziv tërheq çdo fundjavë lokalë dhe turistë nga e gjithë bota, të cilët presin në rradhë për orë të tëra mundësinë për t’u futur brenda hapësirës legjendare të artit dhe dekadencës. Ata që kanë shkuar e dinë për çfarë po flasim.

Ata që ende nuk kane qenë pjesë e festave të gjata 3 ditore jami të sigurt që do nisin të shohin për biletat më të lira drejt Berlinit [ndihmë e vogël: prej Prishtinës mund të udhëtoni në linjë direkte me EasyJet, duke qenë se është kompani low cost dhe biletat janë tepër të përballueshme]. Ka dhe nga ata që kanë pritur në rradhë dhe kur janë afruar tek dera nuk i kanë lejuar të hynë, por nuk do fokusohemi tek kjo!

Andrra [Fatime Kosumi] është një artiste shumë-dimensionale e cila krijimtarinë e saj e ka të frymëzuar nga traditat kosovare, duke i vendosur ato në kontekstin e një shoqërie moderne, ose siç vetë Andrra e përshkruan muzikën e saj “si të bashkosh shpirtin e një fermeri me një makineri të pamëshirshme”.

Përveç Andrrës e cila do performojë live, në Berghain do jenë edhe dy vajza DJ nga Kosova: Ganouchë dhe e pangatërrueshmja Oda Haliti.

Kështu që nëse rastisni të jeni në Berlin gjatë javës së ardhshme, mos humbisni mundësinë për të parë se si muzika dhe talenti shqiptar prek një nga skenat më të lakmuara botërore, me tre artiste të jashtëzakonshme të cilat punojnë fort të japin kontributin e tyre jo vetëm në muzikën lokale, por tashmë si një influencë botërore.

Hyrja: në 7pm/eventi fillon në 19:30

Presale nga Koka36
RSVP në Facebook
 

PS: Gjithsesi më poshtë ju bëjmë një biografi të shkurtër rreth Berghain që ta keni.

Berghain është klubi më i famshëm në Berlin. Ai e ka marrë emrin prej vendodhjes, duke qenë se është në kufirin mes Kreuzberg dhe Friedrichshain. Prej fillesës konsiderohet si qendra botërore e muzikës tekno dhe jo pa shkak. Berghain nuk shquhet më dekorimin e jashtëzakonshëm [pjesa e brendshme me një pamje tepër minimaliste dominohet nga betoni dhe hekurat], nuk ka pije të shtrenjta, pasqyra dhe mbi të gjitha, nuk lejon të bësh foto [të gjithë atyre që u lejohet hyrja -pasi Berghain mbetet tepër ekskluziv, u mbulohet kamera e celularit me ngjitëse]. Asgjë që të pret aty nuk kërkon vëmendje, pasi bëhet fjalë për ndoshta të vetmin vend në botë, ku fokusi dhe qëllimi është vetëm muzika e mirë dhe audienca e duhur.