Qëndresa dhe Hugo Mari, Dyshja nga Londra me Gjysmën e Rrënjëve nga Kosova

Para se të nisni të lexoni këtë artikull/intervistë/profil/sugjerim muzikor dëgjoni këtë këngë:



E bëtë? Ok, nisni scroll-in ashtu siç ju ka hije!

Qëndresa dhe Hugo janë një duo e vendosur në veri të Londrës, të cilët para pak kohësh kanë publikuar EP-në e tyre të parë, “Shades on”. Ata morën famë me këngën “Good Love” e cila u cilësua si “e shkurtër, e ëmbël dhe o zot-me-sa-shumë-shpirt” dhe duket sikur e ardhmja para tyre është premtuese.

Muzika që krijojnë është e qetë, por e plotë, falë tingujve të pianos dhe ndërthurjeve të stilit të “epokës së artë” nga Hugo Mari. Qëndresa është ajo që e sjell këtë muzikë në jetë, falë zërit të saj karakteristik dhe elegant.

’Shades On’ gërmon në vorbullën e zhurmave të jetës në një qytet modern, duke kanalizuar shijet e muzikës R’n’B, ndjeshmërinë e rrymës jazz dhe ngjyrat e verës në një udhëtim të turbullt. Disa herë e tërhequr e herë të tjera e mendueshme, muzika e Qëndresës dhe Hugos është plot dëshirë dhe mprehtësi.

Bashkëpunimi midis tyre ka nisur 5 vite më parë përmes disa miqve të përbashkët muzikantë. Falë shijeve të njejta artistike dhe vizionit gjithashtu të njejtë, shumë shpejt lindi dhe ideja për të krijuar një grup së bashku. Projekti i parë i Qëndresës dhe Hugos quhej “Mindset” dhe përfshinte edhe artistë të tjerë.

Por, ky projekt u shpërbë shpejt për shkak të paqëndrueshmërisë së anëtarëve të tjerë, të vetmit që mbetën ishin pikërisht Qëndresa dhe Hugo. Dhe nëse po mendonit që kjo është nga ato rastet ku një iniciativë e përbashkët dëmton marrëdhëniet sociale, epo, le të themi që nuk është rasti. Ekipi i “Mindset” ka dhënë kontributin e tij në EP-në “Shades on”.

Nëse pavarësisht gjithë kësaj që shkruam, në mendje keni thjesht pyetjen nëse Qëndresa ka prejardhje kosovare, epo, po! Pavarësisht se ka lindur në Londër në vitin 1990, Qëndresa ka prejardhje tërësisht kosovare dhe e viziton vendlindjen e saj gati çdo verë.

Muzika juaj është njëkohësisht e freskët dhe me një ndjesi të ëmbël retro. Si e gjetët tingullin tuaj?

“Tingulli” ynë vjen si pasojë e muzikës që kemi dëgjuar teksa rriteshim dhe artistëve që na pëlqejnë. Ajo që duam të bëjmë është t’i japim dëgjuesve të njejtën ndjesi që përjetojmë ne vetë kur dëgjojmë artistët tanë të preferuar.

Kjo frymë ndihet edhe tek videot muzikore. Keni një staf të përhershëm që kujdeset për to, apo vazhdimisht kërkoni bashkëpunime dhe ide të reja?

Deri tani kemi xhiruar me Josh Homer dhe Luke Farley. Janë të paparë dhe merremi vesh shumë mirë bashkë profesionalisht. Jemi gjithmonë të hapur të bashkëpunojmë me njerëz kreativë!

Ndjesia që merr nga muzika juaj është njëkohësisht familjare, si diçka që na prek kujtesën kolektive, por që sërish nuk tingëllon me asgjë që kemi dëgjuar më parë. Keni një muzë? Një influencë në stilin tuaj muzikor dhe personal? 

Qëndresa: Unë jam rritur duke dëgjuar shumë gra të jashtëzakonshme me zë të mrekullueshëm të rrymës pop si Mariah Carey, Anita Baker, Christina Aguilera… Më pëlqen të mendoj që muzika ime mbart influencat e viteve ’90 dhe ato të viteve të hershme 2000. Kjo për shkak se bëhet fjalë për një epokë e cila i përket pjesës më të madhe të brezit tim.

Me kalimin e viteve, nisa të “gërmoj” për muzikë të mirë në internet apo në dyqanet e disqeve, dhe aty gjeta një tjetër lidhje: atë me ritmet soul/disko të viteve ’70 dhe ’80. Është një lloj shumë karakteristik i muzikës që të bën të ndihesh nostalgjik, ndjesi të cilën dua t’ua jap edhe dëgjuesve të mi.

Teksa po shihnim vijueshmërinë e prodhimeve, duket sikur pikërisht këtë vit e keni shumë seriozisht!
Keni në plan të publikoni muzikë të re, të zgjeroni skenën tuaj nga Londra apo Kosova drejt vendeve të tjera? Me konkretisht, cili do jetë hapi juaj i rradhës?

Gjatë këtij viti jemi muzikantë me kohë të plotë! Duam të performojmë live jashtë kufirit të Anglisë dhe veçanërisht në Kosovë. Aktualisht jemi duke konceptuar dhe ekzekutuar disa performanca live shumë interesante dhe shpresojmë t’i luajmë gjithmonë e më shumë.

Qëndresa: Në mars do publikoj diçka të re, por ende nuk e kam datën e saktë. Bëhet fjalë për një krijim për të cilin kam punuar me mikun tim producent Iglu Noise dhe që do dalë në fillim si audio, dhe më pas do plotësohet edhe me pjesën vizuale. Kjo për shkak se po përpiqem të jem pak e veçantë me vizualet e kësaj kënge.

Qëndresa, stili yt artistik është tejet ambigual: i urtë dhe pa kërkuar vëmendje e pompozitet, por njëkohësisht plot personalitet dhe shumë i veçantë në llojin e tij. A është “Qëndresa” një perosnazh që ti e ke krijuar dhe zhvilluar me kalimin e kohës, apo je thjesht ti, duke u kënaqur me atë çka natyrshëm je?

Kjo që thatë është diçka shumë e bukur, faleminderit!

Mendoj që është pikërisht kjo e dyta, pasi në fakt jam përpjekur të krijoj emra arti, por ndjeva që emri im i vërtetë është shumë unik, kështu që mbajtja pikërisht atë.

Mendoj që në një farë mënyre kjo më ka ndihmuar të jem vetvetja dhe të mos e vras mendjen për ta përcaktuar veten, gjë e cila më duket shumë e panevojshme.

Kështu që po, është pak a shumë “ajo që sheh është ajo që jam”

Kur do vini të performoni në Shqipëri apo Kosovë?

Shpresojmë të vijmë shpejt, dhe tek të dyja vendet!

Nëse tashmë jeni kuriozë për të kuptuar më shumë, dëgjoni extended play-n e tyre këtu!