“Vala [jo dhe aq] e Re e së Shtunës!”

Këtë të shtunë vendosëm që ta kalojmë në Nouvelle Vague. Jo sepse kishte ndonjë event të veçantë në raport me vendet e tjera, por sepse kur je në dyshim, Nouvelle është gjithmonë përgjigja e duhur.

Shkuam si rrallëherë që në orët e para të mbrëmjes [cila ka qenë hera e fundit që keni dalë në Bllok në orën 20:00?], por kjo për shkak se në NV zor se gjen vend për të ndenjur pas orës 22:00 [e testuar!].

Muzika në sfond ka gjithmonë diçka karakteristike, sikur e ke dëgjuar më parë, por sikur e ke dëgjuar teksa qëndroje në një rrugicë të qetë në një “barrio” të Kubës duke pirë një rum [ e çuam pak larg ë?].

Por Rum-i në Nouvelle nuk është thjesht ndjesi, është një ndër protagonistët e mbrëmjes. Sidomos nëse vendos ta nisësh natën me të [nuk e këshillojmë nëse ke ndërmend të kesh më pas një nate të gjatë… rumi e ka pak dorën e fortë].

Nuk vonon shumë dhe tek vendi i DJ hyn Erblin Bajko a.k.a Air Bajko a.k.a. Ai që të vdes nga të qeshurat a.k.a. Ja ke dëgjuar të qeshurën sa ngjitëse e ka?. Ah, fakt interesant: Erblini është gjithmonë i shoqëruar nga shokët e tij të Top Channel, Sandër Grami dhe Dor Ramaliu, kështu që rrugës mund edhe të bëni ndonjë foto nëse ju pëlqejnë çunat e “Pa Limit”].

Për sa i përket muzikës, Air Bajko arrin të sjellë rryma nga më të ndryshmet në të njejtën linjë, se si e bën nuk e dimë, por mund të themi që nga “Chan Chan” e Buena Vista Social Club mund të dëgjosh “Idioteque” nga Radiohead dhe të mos e kuptosh që janë krejtësisht rryma të ndryshme. 

Nëse je të shtunën në Nouvelle vë re patjetër këto dy gjëra:

1. Ka njerëz që tek hyrja jashtë e deri tek çdo cep brenda. Dhe nuk ka rëndësi nëse bie shi si ai i kësaj jave, sërish të gjithë qëndrojnë aty për të pirë cigaren e pauzës para se të rifuten për të vazhduar gotën me miqtë.

2. Të gjithë kanë lloje të ndryshme pijesh në dorë. Duket sikur secili ka përzierjen e vet të preferuar në NV, ndaj duart janë plot me gota ngjyra-ngjyra.

Këshillë miqësore: Mos tentoni të provoni disa lloje cocktail-esh brenda një nate se nuk është dhe aq qejf sa duket… fare!

Si përfundim, nga e shtuna në Nouvelle dolëm gati për ta vazhduar natën diku gjetkë pas mesnatës, dhe ata që njohëm aty ishin të ndarë midis Checkpoint Charlie dhe Discobox.

Po ju, ku e kaluat të shtunën tuaj?