5 Fazat e Një Nate në Club-et e Tiranës

Nëse ka diçka më interesante për të trajtuar, se jeta e natës në Tiranë, ju sfidojmë të na e thoni.

Themi interesante, sepse çdo herë kalon nëpër disa faza. E mira në Tiranë është që jeta e natës fillon që të Mërkurën pasdite (A i keni parasysh dasmat e qëmotit që zgjasnin nga një javë? Për këtë e kemi fjalën!). Dhe ngjan shumë me një cikël vicioz, që konsiston në mbylljen e ahengut ditën e Dielë dhe planifikimin e fundjavës së ardhshme që të Hënën në mëngjes.

Por, ne nuk jemi aspak kundër kësaj situate! Përkundrazi, ne e duam jetën e natës në Tiranë për atë që është dhe për njerëzit që bëhen pjesë e socializimit (aq sa mund të socializohen me telefona në duar :P). Megjithatë, nuk mund të mos vëmë re disa fenomene, të cilët përkthehen në faza pas një serie të dalurash pa fund në Tiranë.

Ne të Electronic Beats sjellim për ju 5 fazat e një nate në club-et e Tiranës:

1. Planifikimi/Takimi

Kjo fazë (që kap mëngjesin e së Hënës), është më e ndërlikuara dhe ndahet në nënfaza. E para konsiston në përcaktimin e grupit, që do të organizohet për të dalë. Më pas bëhet caktimi i ditës së qejfit dhe aty shpërthen debati. “Unë jam në punë deri vonë...Unë s’e duroj dot muzikën aty...Unë po mendoja më shumë për ndonjë gotë të shpejtë me thënë të drejtën... Po mirë, ti rri sa të duash se ne po e vazhdojmë natën gjithsesi kur të ikësh...Vërtetë, jeni të poshtër... Po çfarë bëni se na gritë lekët, jemi në fund muaji... Hey, po me çfarë do kthehem unë që jetoj në Laprakë!”

Qetësi (dy ditë për shkak të debatit)... Kjo fazë fillon të Hënën sepse në rastin më të mirë të mundshëm, planifikimi dhe rezervimi arrijnë të mbyllen brenda së Premtes në darkë. Kurdo qoftë dita e planifikuar, diskutimi i rradhës dhe më delikat është që takimi të bëhet jashtë vendit të caktuar. Nëse nuk mblidhen që të 15-të jashtë, asnjë nuk lejohet të hyjë me pretekstin “S’do rri vetëm brenda unë!”

2. Një gotë sa për nxemje

E fillon natën në një ambient të qetë, ku synon të konsumosh ndonjë bisedë të këndshme. Porosit dhe ndërkohë bisedat bëhen gjithnjë e më interesante. Por, teksa kalojnë minutat, fillon të dëgjosh gjithnjë e më pak personin përballë dhe muzika e lartë të gumëzhin në vesh. “Prit pak, kur e ngriti zërin?”. Ndonjëherë të duket sikur të përgjojnë qëllimisht dhe sapo të kuptojnë që biseda bëhet serioze, ngrenë zërin. E gjen veten duke gërthitur me gishta në vesh që të arrish të kuptohesh.

Tani ka ardhur momenti për të kaluar në fazën tjetër!

3. Do kërcejmë apo çfarë?!

Me shumë mundësi ka kaluar mesnata dhe dilema e radhës është, çfarë do bëhet tjetër!

Në këtë pikë, të paktën 5 ushtarë kanë rënë rrugës (gjithnjë të njejtët). Vendoset të shkohet në një ambient të ndezur mirë nga alkooli dhe muzika. (mos na bëni t’i rradhisim se i dini shumë mirë). Bukur! Futesh brenda dhe e gjen veten të rrethuar nga një sërë njerëzish që edhe i njeh edhe nuk i njeh, por duke qenë se i ke ngjitur, miqësohesh dhe ndoshta zbulon që i ke kushërinj të katërt nga ana e babait. Je ende i qetë sepse nuk ta ka bërë efektin akoma gota që pive më parë. Ajo do të të ndodhë në fazën 4.

4. Pas disa gotave

I ndjen muskujt e fytyrës të relaksuar dhe tashmë je i qetë. Trupi fillon të lëvizë vetë nën tingujt në sfond. Era e tekilës në ajër e ka bërë efektin në gjak me kohë. Fillojnë shkëmbehen emrat nëpër rrjete sociale (a thua se është më e lehtë se të shkëmbesh numrin) dhe ftesat për qerasje. Dikush të djeg xhupin me cigare por nuk e prish gojën atë natë. Të nesërmen fillon të llogarisësh dëmet (sidomos të kuletës).

5. Muzika

Pasi dëgjon “Tren për në Përzëren” për të 1'000-tën herë në jetë dhe ndonjë këngë shqiptare të kohëve të fundit tek tuk, mendon që erdhi radha e rrymës tënde të referuar. Disa tinguj të duken të njohur. Por, je skeptik dhe pret pak. Po, po të duken të njohur dhe me shumë mundësi është “Runaway” e Bon Jovi. Fishkëllen, ngre duart, emocionohesh, do të kërcesh pooor jo! Është thjesht një këngë tjetër e Elita 5. “E di se do të vish, e di se s’mund të rrish...”

Për rreth 15 minuta merren me rradhë këngët e Elita 5 dhe gjithçka mbyllet me thirrjen: "Se jaaaaaaaaaaaaam Al Kapone!" (të gjithë në ekstazë)

Miksimi kalon nga muzika e lehtë me motive popullore, në rock, swing, orientale, Tarkan, tallava, hip-hop dhe gjithçka sipas kësaj rradhe përsëritet deri në orën 3 kur fuqitë fillojnë të shterrojnë.

Mbyllja

E sigurt është që sado të kesh pirë, përsëri ke fuqi të negociosh pafund me taksistin në lidhje me çmimin. (“Nuk ka gjë mos e ndiz taksimetrin!”) Taksisti, sigurisht, e ka të pamundur të kuptojë se si ke shpenzuar të gjithë natën për të pirë alkool dhe kursen për të shkuar deri në shtëpi.

Ja që shkon (me ose pa negociata) dhe shpreson ta gjesh krevatin tënd me tentativën e parë. Shihemi së shpejti në ciklin e tregimeve: “Mëngjesi pas një nate në clube-t e Tiranës!”