Guidë: Si t’ia Hedhësh Shën Valentinit Kur Je Single (në Tiranë)

Ngre dorën nëse je single!

Shën Valentini… sërish periudha velëse dhe e përvitshme e dashurisë. Pa dashur të nënvlerësojmë ditën e të dashuruarve, na lejoni që këtë herë të solidarizohemi me shpirtrat e vetmuar.

Nëse do të merrnim parasysh argumentat pro dhe kundër të qenurit single, përgjatë vitit, ato pro fitojnë gjithnjë (lëreni çfarë thonë të dashuruarit!). Festa të çmendura, liri, shumë miq, më shumë kohë për veten, udhëtime të paplanifikuara dhe shumë e shumë të tjera. Por, edhe shpirtrat e lirë më të fortë, lëkunden në periudha festimesh, sidomos ditën e Shën Valentinit. Duam t’ju kujtojmë që nuk jeni vetëm! Madje, është momenti që të bashkoheni me njerëz të tjerë single për një ditë të paharrueshme (pavarësisht efektit të alkoolit).

Ne të Electronic Beats ju prezantojmë me “4 këshilla për t’ia hedhur Shën Valentinit kur je single”... sidomos kur jeton në Tiranë.

1

Kështu pra, 14 Shkurti i famshëm është nesër! Zbardh dita! Cila është gjëja e parë që do të mendoni të bëni? Parashikimi i motit (nëse nuk gabojmë) njofton që do të ketë shi, por mos u demoralizoni! Bëhuni të bukur dhe dhurojini vetes dashuri. Mund të blini lule për t’i vënë në shtëpi, ose për të ndriçuar zyrën dhe dashurinë do ta ndjeni në ajër. Sa për ju kavalierët e pashërueshëm, si thoni sikur t’ia bëni ditën më të bukur një mikeshe single me një darkë mes miqsh, një gotë dhe muzikë të këndshme apo lule! (nuk i dihet, gjesti mund të rezultojë fatsjellës).

2

Sapo të filloni të ndiheni të vetmuar, kemi një këshillë për ju: Mendoni sa para do të shpenzonit për t’u dukur mirë për dikë (flokët, depilimi, thonjtë dhe makeup për vajzat), për veshje të reja dhe për dhurata. E mira e të qenurit single është që mund të llastoni veten me dhuratën e duhur dhe kaq! Një rrugë e dy punë!

3

E dini ku është e bukura e një ambienti plot me çifte?! Që do ta keni të gjithë vëmendjen për vete! Ju kujtohet kur ju thamë që nuk jeni vetëm? Përfitoni të “Be single and mingle!” diku në një ambient ku organizohet diçka e këndshme. Madje, për ju po studiojmë vendet në Tiranë që do të organizojnë diçka për Shën Valentin.

Në Garage, përshembull, do të këndojë Live Marsela Çibukaj. Problemi i vetëm është që thirrja bëhet në çift! Megjithatë mund të provoni që të negocioni për të shijuar mbrëmjen sëbashku me shpitrat e tjerë të vetmuar. Kujdesuni të konsumoni një drekë pa hudhra se mund të keni fat me ndonjë njohje të rastësishme. Në fund të fundit, rastësitë janë ato që shijojnë më shumë (se hudhrat)!

Petalet për ndonjë fiksim tuajin mund t’i këpusni në Hugo, sepse motoja nën tingujt e Orgesa Zaimit është “Më do, s’më do!”. Është pikërisht momenti për të kuptuar nëse ju duan apo s’ju duan kështu që, pas mbrëmjes, ndajeni rrjedhën e ngjarjeve me Electronic Beats.

Nga ana tjetër, Destil ju fton të “Bëheni Valentini” i tyre nesër me muzikë të mirë nga Mr. Cool. Mund t’ju themi me siguri që nata do të shkojë pikërisht sipas emrit të DJ, shumë cool.

Nëse nuk është pikërisht çfarë kishit në mendje, Bashkia e Tiranës organizon “Tirana Dashuron,” një sërë aktivitetesh në Parkun e Madh të Liqenit. Mesa duket do të ketë edhe kënde për të bërë foto. Të qenurit single nuk do të thotë që nuk mund të keni edhe ju foton tuaj të Shën Valentinit. Shën Valentini mund të shërbejë për të festuar edhe dashurinë për miqtë ose... kafshën tuaj shtëpiake. Imagjinoni se çfarë fotoje e bukur do të ishte!

Si festohet dashuria ndryshe? Bashkia e Tiranës ju fton të mbillni një pemë! Ti zgjedh pemën, merr një lopatë dhe Bashkia të gjen vendin! Si thoni për një pemë shelgu? Thuhet se është pema e dashurisë dhe nuk i dihet, teksa rritet, mund t’ju ndihmojë të gjeni dashurinë e vërtetë!

4

Së fundmi, si thoni për pak ndryshim! Me ndryshim duam të themi: model i ri flokësh, ndonjë aksesor të ri, veshje të reja, apo thjesht pak guxim në mënyrën si dukeni. Dilni nga zona e rehatisë dhe shijojeni veten në maksimum. Është festë dashurie, e cila mund të manifestohet në çdo mënyrë të mundshme. E rëndësishme është, në rradhë të parë, të festoni dashurinë për veten!   

(KËSHILLË BONUS!)

Gjithashtu, kini parasysh, që përpara se “t’i fusni të dyja këmbët në një këpucë,” do të duhet të keni eksploruar mjaftueshëm më parë. Gëzuar, për të ëmblën beqari!

Si do ta festoni Shën Valentinin këtë vit?