Çfarë Nuk Duhet të Kishit Humbur në Fundjavë!

Cari Cari @Tulla - Culture Center

Pavarësisht se të rinj, dyshja austriake solli jo vetëm muzikë shumë karakteristike, por dhe një frymë të re eksperimentale me këngët jo konvencionale.

Dhe ky ishte pikërisht synimi i tyre.

Grupi i cili performoi gjatë së premtes tek Tulla Culture Center erdhi në Tiranë në kuadër të vitit të miqësisë midis Austrisë dhe Shqipërisë. Nëse nuk ishit dot prezentë gjatë të premtes tek Tulla apo gjatë të shtunës tek Qendra Rinore Arka [Shkodër], atëherë ky shkrim mund t’ju ndihmojë të mësoni pak më shumë rreth tyre.

Pjesën tjetër mund t’a zbuloni vetë në YouTube:

Alexander Köck dhe Stephanie Widmer nuk janë muzikanë të trajnuar, çdo gjë e kanë mësuar teksa luajnë, ndaj muzika e tyre nuk ka limite e as rregulla. Në të njëzetat e tyre, Cari Cari kanë arritur që brenda pak kohësh të jenë nga dy studentë universiteti, në një bandë që bën prova në bodrumin e shtëpisë [së Alexander] e deri tek grupi, këngët e të cilëve janë përdorur si kolona zanore në seriale si “Shameless” apo “The Magicians”. [Woah!]

Por, puna sapo ka nisur. Cari Cari [emër që mesa duket është humor i brendshëm, fjalë e shpikur të cilën refuzojnë t’ia tregojnë kuptimin - por për ne është OK pasi na duket sikur i jep një tis misteri dyshes] janë krijuar me synimin për të qenë pjesë e kolonave zanore të filmave të Tarantinos! Ndaj dhe një ndër këngët e tyre më të suksesshme është pikërisht kërkesa e drejtpërdrejtë “Dear Mister Tarantino”.

“Ai ende nuk na është përgjigjur, por ne nuk do dorëzohemi” – thotë Alexander.

Carizma [sa bukur luhet me emrin e bandës] dhe kimia midis tyre është e padiskutueshme. Janë të bukur, të gjallë dhe bëjnë çdo gjë! Këndojnë, i bien kitarës, baterisë, i përpunojnë këngët njësoj si të ishin track-e elektronike dhe i realizojnë vetë klipet e tyre.

Pavarësisht se së fundmi janë në studio duke punuar për albumin, të cilin presin ta publikojnë në vjeshtë, Alexander dhe Stephanie sërish gjejnë kohë për tour-e të vogla, si në Estoni, Londër apo si ky në Shqipëri. Ata i quajnë “arratisje” nga studio.

Ne thjesht ndihemi xhelozë dhe vazhdojmë i dëgjojmë teksa tregojnë se si nuk i mbajnë këngët e reja sekret siç bëjnë artistët zakonisht, por i luajnë dhe i tregojnë sepse duan që të marrin feedback për t’u përmirësuar; apo kur tregojnë se si përzgjedhin muzikën që luajnë thjesht bazuar në ndjesinë nëse i frikëson apo jo [këshillë: nëse muzika që janë duke luajtur ju duket e çuditshme, apo sikur nuk ju përshtatet mirë, atëherë janë në rrugën e duhur!].

Duket sikur e ardhmja është e tyre dhe jo vetëm në aspektin muzikor. Me kaq shumë arritje në kaq pak kohë, na mbetet veç të presim bashkë me ta propozimin e Tarantinos.

Përgjatë qendrimit të tyre në Tiranë, Cari Cari jo vetëm na sollën një stil krej autentik muzikor, por mbi të gjitha mund të jenë fare mirë historia e suksesit të cilën të gjithë e tregojmë për frymëzim.

Ne në Electronic Beats, nuk rezistuam dot pa e ndarë.