Këtë Fundjavë, Mos Rri në Shtëpi!

It’s FriYay!


Pas ditëve me shi, punëve, detyrave më në fund mund të bëni një hap pas dhe të shplodheni e argëtoheni.
Nëse ende nuk keni bërë planet e fundjavës, atëherë hidhuni një sy sugjerimeve të Telekom Electronic Beats, pasi axhenda e fundjavës në Tiranë është e mbushur me aktivitete muzikore, por edhe artistike, si premierat aktuale në kinema dhe sigurisht, shfaqjet në teatër!


…kështu që bëhuni gati për një scroll të gjatë.

1. Cari Cari (Austria) – Live ne Tulla.

E premte, 9 Shkurt
Ora 21.00

Cari Cari nuk janë një band e cila limitohet në rrymën e muzikës që krijon. Që nga këngët dhe klipet autentike e deri tek cover-at dhe bashkëpunimet me artistë të tjerë të rinj, Cari Cari luajnë atë që duan dhe thjeshtë bëjnë qejf!


Grupi austriak do performojë tek Tulla Culture Center të shtunën në orën 21.00 në kuadër të aktiviteteve për vitin Austri – Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë.  
Ah po, hyrja është e lirë!

2. Nolt by Hugo presents HEKTOR JUBANI

E premte, 9 Shkurt

Nën fjalinë “nëse ajo çka ju mungon është shoqëria e mirë, koktejlet karakteristike dhe muzika cilësore, bashkohuni me ne të premten”, Hugo rikthehet me një koncept të ri dhe logo të re, duke synuar siç implikon edhe emri, të jenë më lart. Hugo gjithmonë ka sjellë evente të larmishme, që nga muzika live, ajo elektronike e deri tek stand-up comedy nights, ndaj të shohim se çfarë ka përgatitur gjatë javëve në vijim.  

3. Discobox, pas mesnate me RRRRON (i njohur si RROCKEFELLER)

E Premte, 9 Shkurt

Nga Prishtina plot dashni, Discobox kërkon të krijojë një urë mes kulturave të muzikës underground duke sjellë një DJ i cili premton më shumë RRR se Dustin Henderson tek Stranger Things.

4. Garage Dance Room me 24Ray

E premte, 9 Shkurt
Ora 20.00

24Ray vjen për herë të parë në Garage pasi ky i fundit çeli disa javë më parë sezonin e tij të ri. Jo thjesht vendi me makinën e bukur, Garage është kthyer shpejt në destinacionin e artistëve shumë interesantë të çdo fundjave, miksuar me Dj-të më tërheqës të qytetit, ku 24Ray është sigurisht ndër më të mirët.

5. Destil sjell nga Man Duo [Helsinki]

…në bashkëpunim me Olimpiada Records

E shtunë, 10 Mars

MAN DUO është side projekti i dy producentëve të njohur nga Helsinki via Berlin i Jaakko Eino Kalevi-t dhe Long-Sam. Ata vijnë për herë të parë live në Shqipëri, Tiranë me suport nga Via Tirana (live set) në Destil. 

Man Duo janë dy shokë fëmijërie dhe kanë vite që bashkëpunojnë duke nxjerrë shumë materiale nën emrat e tyre. Vitin që kaloi, publikuan albumin 'Orbit' dhe vendosën ta kthejnë bashkëpunimin në një projekt të mirëfilltë me emrin Man Duo. Jaakko është nje nga muzikantët më të njohur te Finlandës për shumë vite, duke luajtur në koncerte dhe festivale nga më të njohurat në të gjithë botën. 

Dyshja elektronike/analoge kombinon elektro-popin e 80s me eksperimentalen duke krijuar si rezultat tingullin unik dhe hipnotizues të Man Duo. 

6. Garage Dance Room me ERION’S MIXTAPE

E shtunë, 10 Shkurt
Ora 20.00

Që nga këngët që të gjithë i këndonim para pasyqrës në vitet ’90, e deri tek hitet më të kërkuara të momentit, Dj Erioni gjithmonë i jep lezet festës [i keni parasysh komentet që lë në ekran kur luan tek Checkpoint?]. Kështu që e shtuna në Garage pritet të jetë një nga festat e rralla ku askush s’ka nevojë t’i kërkojë këngë Dj-t.

7. Discobox pas mesnate më ME.N.U.

E shtunë, 10 Shkurt

Discobox na servir Dj-n e rradhës, i cili këtë herë vjen nga Maqedonia. Anëtar i shumë labels ndërkombëtarë dhe [le ta pranojmë], goxha bukurosh, MA.N.U. është eventi i fundit muzikor i kësaj jave kushtuar njerëzve të festës.

Për të dashuruarit me teatrin

Teatri Kombëtar shfaq SHIRLI VALENTINA

8-11 Shkurt

Pas premierës në 8 shkurt, Driada Dervishi dhe Olta Daku do shfaqin edhe për 3 ditë të tjera “Shirli valentina” në skenën e Teatrit Kombëtar.


Shirli Valentina është një nga veprat më të sukseshme të autorit anglez Willy Russell, e cila qëndron prej tri dekadash në repertorin e teatrove angleze. E vënë në mbi 30 vende në mbarë botën, kjo vepër vjen për herë të parë në Shqipëri. Fituese e çmimit Lorenc Oliver si Komedia më e mirë e vitit 1988, "Shirli Valentina" është konceptuar në formën e një 'one woman show', ku përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme. 

Shirli Valentina, vjen nga një aktore që mishëron si humorin ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin ashtu dhe kurajon, si sarkazmën e po aq natyrshëm dhe autoironinë, është Olta Daku ajo e cila përmes Shirlit, na fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat.  

Në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” rikthehet MEDEA

3-18 Shkurt

Prej datës 3 shkurt e deri në 18 shkurt, në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do shfaqet “Medea”e Euripidit. Nën regjinë e Dimitris Mylonas, përkthyer nga Viktor Zhusti dhe interpretuar nga emrat më të njohur të artit shqiptar si Luiza Xhvani, Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, etj.

Skenograf: Beqo Nanaj
Kostumografe: Sofi Kara
Kompozitor : Pavlos Katsivelis
Koreograf: Gjergj Prevazi
Dirigjent: Dritan Lumshi
As/regjisor: Kriks Dumo

Bëhesh për Kinema?

50 Shades Freeed

Nuk ju gjykojmë. Ok, ju gjykojmë paaaaak fare.
Por nëse jeni fansa të serisë së filmave soft S&M atëherë sallat e kinemave janë praktikisht plot çdo natë që prej premierës së datës 8 Shkurt, kështu që rezervoni paraprakisht, merrni të dashurin ose shoqen e ngushtë dhe shkoni të shihni filmin të cilin ose e dashuron, ose e urren.