Jeta e Natës në Tiranë nga Florian Cara

Jeta e natës në Tiranë është ndër gjërat, me të cilat edhe krenohemi edhe jo njëkohësisht. Megjithatë, që të shndërrohej në këtë që po jetojmë sot, ka kaluar faza të tëra evoluimi. Për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, duhet të njohim të shkuarën.

Kush, më mirë se Florian Cara, e njeh jetën e natës në Tiranë?! Si ishte, si është dhe cilat janë tendencat për të ardhmen?! Electronic Beats ka kënaqësinë të rrëfejë shumë mbi Tiranën nokturne nëpërmjet një prej figurave kryesore të jetës së natës në kryeqytet.

Cilat ishin fillesat e jetës së natës në Tiranë dhe të tuat si PR?

Kam filluar të merrem me pjesën e organizimit dhe manaxhimit të eventeve dhe ambienteve me përmbysjen e regjimit komunist dhe fillimet e demokracisë në Shqipëri. Bëhet fjalë për vitet 1992, 1993, koha që u hapën dyert e ambasadave. Festat e bodrumeve dhe të shtëpive morën një tjetër drejtim që nga ajo kohë. Duke qenë i vogël dhe i ekspozuar ndaj dy realiteteve, ose të qendroja nëpër rrugë ose të krijoja një balancë mes rrugës dhe një zgjedhje më pozitive, ndërtova një realitet më të qartë për jetën time. 

Asokohe, organizoheshin më shumë festa shkolle, ku luhej muzikë e huaj me kasetofona. Biletat kushtonin 10 lekë të vjetra, që sot konvertohen në 1 apo 2 qindarka.

Mund të kem punuar në mbi njëzet ambiente, ndër të tjera edhe për London, përpara se të filloja të punoja për Marikajn e dikurshme në kodrat e Marikajt. Alberto Rancini, pronari, ka qenë mentori im i parë profesional. Marikaj ka qenë diskoteka e parë e mirëfilltë dhe për diskotekën e parë ishte koha e muzikës së Ricky Martin (Un, dos, tres), domethënë sapo kishte kaluar faza e La Bush.

Disa nga baret dhe diskot më trendy të kohës kanë qenë Zeusi, Albania, Luksi, Desartisti, Agi, Refleksioni, Fantastiku, Meteori, La Voglia, Flamengo, Meridiana, Lotus, Urithi e shumë të tjera. Ka patur tunele pafund, por nuk arrinin të plotësonin nevojat gjithnjë në rritje të një qyteti gjithashtu në rritje.

Këto ambiente veçanërisht, frekuentoheshin nga njerëzit më alternativë dhe trendy të kohës që për hir të së vërtetës gjykoheshin, por edhe duheshin shumë.

Pas Marikajt, kam punuar në Greqi. Punoja në një nga lagjet turistike të Athinës, Plaka. Gjithnjë e them që më kanë mësuar italianë dhe më kanë rritur grekë. Nga grekët kam mësuar etikën dhe disiplinën në punë.

Si evoluoi jeta e natës më pas?

Problemet lindën kur struktura u ndërtua nga njerëzit, të cilët nuk dinin ta bënin këtë, duke vënë gjithçka vetëm në shërbim të biznesit dhe jo më të kulturës. Për një periudhë u zhdukën teatri dhe opera, kështu që njerëzit shfrytëzonin pub-e dhe club-e për t’u socializuar dhe për të biseduar. Një nga vendet më magjike, ku kryheshin diskutime mbi kulturën dhe modën në përgjithësi, ka qenë Piramida. Vakumi kulturor i krijuar zgjati nga viti 1992 deri në periudhën e viteve 2000-2003, kur filluan produksionet e para alternative në televizion.

Rreth vitit 2006 mora përsipër të manaxhoja Mumjen te Piramida, një nga dashuritë e mia të mëdha dhe ndërtova një platformë, që më pas u vijua me konceptimin e një lagjeje argëtuese në zonën e Kinema Millenium me Folie, Big Ben dhe rihapjen e Mumjes si club dhe jo bar. Në këtë pikë, ambientet po ndërtoheshin të ndara në koncept dhe jo si më parë kur kafeneja shërbente edhe si club. I ndërtova si bërthamë apo zemër, duke i rritur nga 300, në 500 dhe 1’000 nga qytetarët më të mirë të Tiranës.

Çfarë mendon për situatën e muzikës në Shqipëri?

Në përgjithësi në Shqipëri, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë një keqkuptim në lidhje me rrymat muzikore. Muzika rock, jazz, blues, hip hop, komerçale, house, etj, është e ndarë në drejtime të caktuara dhe nënkategori. Çdo muzikant duhet të studiojë dhe të jetë i informuar. Madje, do thoja që DJ duhet të ishte lëndë muzike. Kufizimi në dije bën që të jenë selektivë e të realizojnë vetëm një gjë.

Emrat më të mëdhenj të muzikës, pavarësisht rrymës që ndjekin, janë gjithnjë në kërkim dhe përthithin gjithçka që ndodh rreth tyre për ta përkthyer më pas në punë krijuese.

Në Shqipëri, ka rënë paksa prurja në muzikën e lehtë. E megjithatë, mund të them që po arrin shumë. Unë dëgjoj muzikë shqiptare, por mbetem te disa preferenca të miat. Mendoj që është e rëndësishme t’u jepet pak më shumë kohë artistëve dhe vetes për t’i pranuar, pa gjykuar që në fillim.

Cilat janë disa nga projektet mbi të cilat po punon aktualisht?

Aktualisht, punoj për një projekt me Bashkinë e Tiranës dhe jam pjesë e një stafi shumë të bukur. Projekti synon t’i japë frymë kryeqytetit, duke krijuar larmi lokacionesh dhe organizimesh. Tirana ka nevojë për dinamika dhe strukturë të shëndetshme për të ofruar ambientin e përshtatshëm për zhvillimin e këtyre dinamikave. Pikërisht për këtë arsye e çmoj punën me grupin dhe besoj që jemi në një rrugë të mirë.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e kohës time i kushtohet Garage, i cili prej një muaji po promovohet. Deri tani është bërë një punë korrekte, pasi e mira mbetet të shihet në vazhdimësi. Garage është një ambient industrial, modern, me pak hije klasike. Garazhet ruajnë kujtime, aty është luajtur muzikë kur nuk kishte studio, janë bërë festa, etj.

Priremi të përqendrohemi te jeta e natës, por, që të kalosh netë të mira, do të duhet të kesh kaluar ditë të mira më parë. Dhe dita përfshin mëngjesin, një kafe dhe një drekë të mirë. Për këtë arsye, Garage është një sallë koncertesh, bar, restorant, secili element i planifikuar për ditë të ndryshme të javës.

Njëkohësisht, përpiqem të jem i pranishëm me këshillat e mia për miqtë, siç edhe ndodhi me drejtimin që po merr Pop Station.  

Deri sot nuk mendoj të kem dështuar. Unë po përgatitem për disa koncerte “tribute” shumë të mëdha nga bota për artistë që do të kenë padyshim sukses në Tiranë. Një ikonë e madhe do të vijë nëpërmjet sozisë së tij sepse artisti nuk jeton më dhe organizimi do të jetë i madh.

Si do e skeduloje një fundjavë në Tiranë?

Fundjavën do ta organinzoja në mënyrë të tillë që të kishte sa më shumë larmishmëri. Do të zgjidhja ambiente të ndryshme sipas radhës së fundjavës përkatëse. Zakonisht frekuentoj Hemingway, Radio, Charls, Tribeca, Nouvelle, Tulla, Whiskey, Checkpoint, Dada, Komiteti, Hugo dhe Deliziosa, Mullixhiun apo A La Sante për të ngrënë. Mund të shkoj në Discobox për të kërcyer një herë në kaq, por jo në Club-e. Do më pëlqenin Tirana Rock apo Rockstock, nëse nuk do të mbanin gjithnjë të njejtin program.  

Do zgjidhja një restorant apo një bar të qetë për ta filluar pasditen dhe më pas një ambient ku mund të kërcej.

Do të më pëlqente të funksiononin aperitivët, që për shqiptarët janë botë krejt tjetër. Këtë koncept po përpiqem ta integroj si pjesë të programit të javës në Garage. Mendoj që njerëzit duhet të qarkullojnë nga kafeneja te bari, teatri, ekspozita, galeria, koncertet, etj. Jeta a natës fillon në mesnatë dhe jo në orën 20:00. Këtu kërcehet në lounge dhe kryhen biseda në club-e.

Cilat do të ishin disa këshilla për të ardhmen e jetës së natës dhe organizimit të eventeve në Shqipëri?

Tirana po përjeton një mbipopullim. Por, duhet patur parasysh, që një zemër e një përmase të caktuar nuk mund të furnizojë një trup shumë më të madh. Duhet strukturë për të përballuar rritjen dhe për këtë arsye organet duhen trajtuar në mënyrë të ndarë.

Më parë situata ishte më e favorshme sepse njerëzit ishin më të etur. Në kushtet që jemi sot, Tirana duhet të shërbejë si një ekspozitë, në mënyrë që njerëzit të kenë një arsye për të dalë dhe për të zgjedhur se çfarë duan. Dalim për të bërë qejfin tonë, për të kaluar mirë me njerëz të mirë dhe për të ruajtur mbresa të këndshme.

Të rinjtë kanë shumë energji dhe mund të bëjnë shumë nëse realisht i kanalizojnë energjitë e tyre aty ku duhet.