Pasioni i Perlës për Tatuazhet!

Sa shpesh ndodh që pasioni ynë më i madh të kthehet në një profesion? Gjasat janë relativisht të vogla!

Por jo për Perlën! Madje, pasioni i saj nuk është thjesht një profesion, por një sipërmarrje e vërtetë. Në një intervistë për Electronic Beats, ajo tregon mbi pasionin për tatuazhet, sfidat, frymëzimet dhe dashuritë e saj më të mëdha.

Prej sa kohësh punon me tatuazhe dhe si filloi pasioni për këtë art?

Punoj me tatuazhe që prej pesë vitesh tashmë. Gjatë jetës time më ka shoqëruar pasioni dhe talenti për pikturën.

Për hir të së vërtetës, eksplorimi i tatuazheve ka filluar si një lojë. Miqtë e mi që kishin dëshirë të bënin tatuazhe, gjithnjë më kërkoni skica të dizenjuara që më pas t’i realizonin në trupat e tyre. Rrjedhimisht mora nxitjen për t’i bërë gjërat “siç duhet”. Kam patur fatin të punoj me artistë të huaj dhe vendas, duke fituar eksperiencë. Me kohën kuptova që jam e aftë në këtë që bëj.

Cili ka qenë tatuazhi i parë që ke realizuar?

Tatuazhi i parë në lëkurë të vërtetë ka qenë një punë masive në të gjithë zonën e pulpës për mikun tim më të mirë. Përjetimi i eksperiencës është shumë i prekshëm për mua edhe tani. Realizova një femër, që vazhdon të mbetet një ndër punët e mia më të mira.

Cili ka qenë rrugëtimi yt deri në perfeksionimin e stilit që ndjek aktualisht?

Tattoo Art është një fushë shumë e pasur për t’u eksploruar dhe gjithnjë ndeshesh me stile të ndryshme dhe të veçanta. Stili në fakt fillon të përcaktohet që në hapat e parë, pra kur fillon të pikturosh.

Më rëndësishmja në këtë drejtim është të hedhurit në letër të të gjitha skicave që kalojnë nëpër mendje dhe të kompozuarit të ideve. Një portret, natyrën, kafshët, çfarëdo qoftë, tentoj ta ndryshoj. Më pëlqen të punoj me linja, grafikë dhe kontrastet e theksuara. Është shumë e thjeshtë të eksperimentosh me stilin tim.

Deri tani klientët kanë qenë të mësuar me tatuazhe tradicionale të llojit maori, tribale apo old school, por kërkesat po ndryshojnë pasi edhe artistët e tjerë po përpiqen të eksperimentojnë.

A është arti yt tërheqës vetëm për një tip të cakuar klientele?

Përpos stilit të linjave dhe grafikës, arrij t’i realizoj të gjitha. Jo të gjithë njerëzit e preferojnë stilin që unë dua më shumë. Ata që e preferojnë e kuptojnë që është puna ime dhe së fundmi stili im po fillon të identifikohet.

E vetmja gjë që mund të bëj me dëshirë, pa ndërhyrë shumë me aplikimin e stilit, është një portret me vlerë për klientin. E megjithatë prekja ime ndihet në detaje.

Çfarë mendon se është e veçantë në lidhje me të punuarit në Tiranë dhe si mendon se e influencon punën tënde?

Unë bashkëpunoj edhe me studio jashtë Shqipërisë si guest artist. Ndryshimi i vetëm qendron në kërkesat e klientëve. Duhet punuar me ta që të mund të pranojnë sugjerime. Janë të rrallë ata që vijnë me një ide të caktuar dhe më pas punën ma lenë mua në dorë. Me aq sa kam punuar jashtë deri tani, kam konstatuar që klientët janë më të dhënë ndaj veçantisë së stilit të një artisti.

Cilat janë disa nga drejtimet e formimit tënd?

Arkitektura!

Një pasion i rëndësishëm për mua është interior design, gjë për të cilën kam studiuar shumë privatisht. E adhuroj gjeometrinë sepse më duket gjëja më perfekte. Nga ana tjetër urrej simetrinë. Jam fanse e artit të rregullt dhe abstrakt në të njejtën kohë.

Më interesantja është që unë kam studiuar inxhinieri fizike, që në fakt nuk ka lidhje me profesionin tim. Tatuazhet janë gjëja më e bukur që më ka ndodhur.

Cili është burimi yt i frymëzimit?

Une frymëzohem nga muzika. E marr nxitjen nga këngët e bukura të artistëve të mi të preferuar dhe nga tekstet e tyre. Më godet e bukura, ose të paktën ajo që unë konsideroj të bukur. Rrymat e mia të preferuara janë rock, rock&roll, soft dhe hard rock, metal, punk, post punk, me pak fjalë gjithçka që ka të bëjë me kitarë dhe bateri.

Sa tatuazhe ke në trupin tënd?

  1. Me duket! Dhe planifikoj të bëj shumë të tjera.

Të qenurit femër në këtë industri të avantazhon në ndonjë mënyrë?

Në fillimet e mia ka qenë pak disavantazhuese sepse sidomos gjinia e kundërt ndihej skeptike për ta lënë veten në dorën time për shkak të të qenurit femër.

Megjithatë, nuk kam patur kurrë prirjen të jem person influence femër. Ambicia ime është të bëhem më e mira pavarësisht etiketimeve. Nuk jam pro klasifikimeve gjinore pasi synoj të flas vetëm nëpërmjet artit tim dhe jo nëpërmjet influencës time si femër në industri.

Cilat janë subjektet që të pëlqen të trajtosh me artin tënd?

Më pëlqen të trajtoj imazhin e femrës sepse mendoj që është krijesa më intriguese për t’u punuar. Më pëlqejnë portretet, trupat, dhe nuditeti. Ky i fundit jo në aspektin seksual, por në atë artistik. Mendoj që format e femrës janë të manovrueshme për sa i përket dizajnit.

Simbole të tjera që më intrigojnë janë gjarpri dhe trëndafili. Nëse u hedh një sy punëve të mia e kupton menjëherë.

Përgjithësisht marr ngacmime nga çdo element i përditshmërisë, të cilat më pas i skicoj sipas mënyrës time. Disa mbeten në nivel skicash e të tjera aplikohen si tatuazhe por dua që klientët e mi të dinë me saktësi se çfarë jam e aftë të realizoj në trupat e tyre.

Kush je ti përtej punës dhe artit? Cilat janë hobby-t e tua dhe si e kalon kohën e lirë jashtë studios?

Muzika është hobby im (sërish dhe gjithmonë)! Jam rritur në një familje muzikantësh dhe muzika më ka shoqëruar gjithmonë.  

Ndryshe nga ajo që perceptohet nga jashtë, jam njeri shumë i thjeshtë. Pjesën më të madhe të kohës time të lirë ia kushtoj vajzës time 5 vjeç. Ajo është prioriteti dhe pjesa ime më e rëndësishme, për rrjedhojë edhe më e bukur.

Më pëlqen shumë fotografia dhe e ndjek shumë si hobby pa e ushtruar për qëllime profesioni. Dashuroj natyrën dhe udhëtimet, në të cilat sigurisht kam të pranishme dhe vajzën time.

Mendon që do të mund të kishe bërë një karrierë më të mirë jashtë Shqipërisë?

Ndoshta do të kisha qenë më e vlerësuar. Ndihem mirë me jetën që bëj sepse e kam ndërtuar pikërisht siç e kam dashur. Jetoj për të qenë e lumtur me veten, pa u influencuar nga askush.

Si ndihesh në lidhje me të qenurit një sipërmarrëse në moshë relativisht të re?

Karakterizohem nga ambicia dhe dëshira për të arritur gjithnjë e më shumë. E sfidoj veten për të dhënë më të mirën dhe për t’u vetërealizuar.

Nuk e mohoj, që kur kthej kokën pas dhe vlerësoj çfarë kam arritur deri tani, ndihem shumë krenare. Do të vazhdoj të punoj fort për të realizuar ambiciet e mia dhe planet që kam në kokë.