Fotografia, Shqisa e Gjashtë e Eduard Pagrisë

Një ndër format më të forta të vetëshprehjes është fotografia. Një moment, një subjekt, spontanitet, fokus dhe përcjell ndjesitë më pozitive të një mesazhi që lë mbresa të thella.

Fotografia nuk ka nevojë për fjalë, por kënaqësia që merr nga të bërit art duhet transmetuar për të frymëzuar. Artistë si Eduard Pagria janë ata që frymëzojnë me dashurinë për atë që bëjnë dhe dëshirën për të ndarë eskperiencën e tyre me të tjerët.

Pse zgjodhe pikërisht këtë formë arti?

Pasioni im për fotografinë ka qenë prezent përgjatë të gjithë formimit tim artistik. Fotografia ka qenë një pjesë e pandarë e profilit tim, të cilin e zgjodha pasi përfundova Akademinë e Arteve për degën e grafikës, duke ndjekur drejtimin për dizajn.

Nevoja e aparatit ishte gjithnjë e pranishme, duke qenë se më parë punoja shumë me dizajn dhe gjithashtu mbuloja pjesën e realizimit të fotografive si bazë materiale. Proçesi i punës mbulonte realizimin e fotove prapa kuintave të skenave të xhirimeve dhe përpunimin më pas të tyre nëpërmjet dizajnit.

Me kalimin e moshës dhe pjekurinë time artistike fillova t’i kanalizoja përpjekjet drejt gjërave që më pëlqenin më shumë të bëja. Rrjedhimisht më vonë fillova të tërhiqesha nga dizajni për të vazhduar me pasionin për fotografinë.

Brenda meje, fotografia mposhti proçeset e tjera të punës si dizajni dhe tashmë bëhen 8 vite që i jam përkushtuar vetëm këtij drejtimi.

E konsideron fotografinë një “pasion”?

Nuk e lexoj si pasion, por si një pjesë të pandarë të jetës time. Me kalimin e kohës kuptova që nuk ka forcë tjetër që të mundë pasionin për fotografinë. Automatikisht kthehet në një shqisë të gjashtë. Fillon të komunikosh vetëm nëpërmjet saj. Kjo është ajo që unë lexoj te fotografia, te marrëdhënia që unë kam me të dhe botën jashtë.

Çfarë është fotografia për ty dhe çfarë mendon që nuk do të duhej kurrë të ishte?

Aktualisht, fotografia është arma më e fortë që kam për të shprehur veten dhe ndoshta për të luftuar. Ajo që nuk do doja kurrë të ishte... klishe jo e mirë.

Si lindi dashuria jote për fotografinë?

Është pikërisht pasioni që ndahet me mjetin, prirjet drejt thjeshtësisë që bota na ofron, duke filluar me aparatët dixhitalë, përditësimi me çfarë po ndodh në treg sidomos me atë jashtë dhe një sërë arsyesh të tjera.

Ecuria ime që nga gjeneza, formimi artistik, shkollimi im, mënyra si u katapultova në treg dhe se si po vazhdohet ky zinxhir ngjarjesh në jetën time është udhëhequr nga fotografia.

Në formimin tënd artistik je ndikuar nga dikush apo punë në veçanti?

Nuk kam patur shembuj sepse në fillimet e mia nuk kam qenë i fokusuar te fotografia por te multimedia. Nuk kisha përgatitjen e duhur për të kaluar në fotografi përveç ndjesisë së brendshme dhe mënyrës si e shihja.

Jam udhëhequr nga ajo që është e imja dhe se si duket sipas mënyrës time. Nuk kisha pritshmëri përtej kësaj.

Me kohën fillova të lexoj, të krijoj botën përreth fotografisë dhe mënyrës si funksionon. Fotografia nuk do të thotë vetëm të shkrepësh por shërben si komunikim, gjë që sot është fuqia më e madhe, sidomos nëse bëhet me dashuri.

Besoj se kam arritur flas nëpërmjet fotografisë e cila jo detyrimisht ka nevojë të pëlqehet.

A mund të cilësohet një foto si e mirë dhe një tjetër më pak e mirë?

Fotot gjithnjë janë të realizuara mirë ose jo mirë. Por, nëse një foto ka një subjekt të fortë, nuk ka më rëndësi. Pikërisht subjekti kryen komunikimin.

Cili është subjekti, nëpërmjet të cilit, ti komunikon më mirë?

Subjekti është në varësi të gjendjes shpirtërore të fotografit në atë moment.

Zakonisht artistët nuk i zgjedhin subjektet. Subjektet i zgjedhin artistët.

E gjej veten mirë te pjesa e natyrës dhe tek “gjendjet” që has në përditshmërinë time. Mendoj që përtej tyre nuk jam më unë. Fusha të tilla si moda nuk janë fokusi im. Fotografitë komerçale, nga ana tjetër, imponohen nga tregu.

Cila ishte puna jote e parë në këtë fushë, që formoi disi atë që ti bën sot?

Projekti im i parë ka qenë me një kompani telekomunikacioni dhe fokusi ishin qytetet shqiptare.

Aktualisht punoj si freelancer pranë UN, për të cilën fotografoj të rinjtë që duan të vetëpunësohen. Brezi i ri në evoluim në këtë projekt, të përball me karaktere që duan të vetërealizohen, gjë që më frymëzon.

Përtej subjektit social të projektit me UN ke trajtur të tjera të këtij lloji?

Mua më ka frenuar paksa të qenurit politikisht i drejtë me kombin tim. Pa kuptuar, aspekti social këtu nga ana artistike fillon të marrë formën e fotografisë së zezë.  

Fillon të përcjellë mesazhe jo shumë pozitive. Nuk dua që ta shfaq vendin tim negativisht. Dua të fotografoj të bukurën e të bukurës dhe të bukurën e të shëmtuarës.

Ka ndonjë foto në veçanti, që sa herë e sheh të shkakton emocion?

Po pa dyshim që ka, e lidhur me kontekstin dhe momentin për mua merr një rëndësi të veçantë. Sa herë e shoh rikthehem në të njejtin moment dhe në ndjesinë e përjetuar atëherë. Më ndodh me disa prej tyre.

Fotot që shkrepen me dashuri janë fotot që i rezistojnë çdo kohe. U përkasin mbresave dhe momenteve më të mira.

Cila ishte kamera jote e parë?

Kamera ime e parë dixhitale ishte Canon ndërsa e para me film ka qenë Olympus.

Që nga viti 2014 përdor Nikon. Kjo për shkak të kërkesave të mia kundrejt kamerës dhe profilit tim fotografik.

Cila është marrëdhënia jote me fotografitë e stilit urban?

Mendoj që është një zhanër që më përfaqëson shumë. Urban Art është ajo që ndodh në përditshmëri dhe nuk të lejon të gënjesh. Momenti që ndalon në një fotografi nuk mund të manipulohet.

A është muzika një frymëzim për artin tënd?

Muzika nuk konsumohet, por shijohet. E quaj veten artist sepse e shijoj muzikën, nuk e konsumoj.

Muzika është baza e frymëzimit për gjithçka, sidomos e ndjeshmërisë së artistit.

Muzika të fut në një gjendje dhe të përcjell jashtë saj pa e kuptuar sepse impakti është i jashtëzakonshëm. Për mua është burim frymëzimi.

A e kategorizon në një zhanër specifik artin tënd të fotografisë?

Nuk do të thoja që e kategorizoj. Vitet dhe eksperienca e nxjerrin vetë në pah zhanrin. Fotot të përfaqësojnë më tepër kur ke bashkëveprim me subjektin, çfarëdo qoftë ai. Impakti është i drejtpërdrejtë.

Mendoj që kam ende shumë për të dhënë që në një moment të them se fotografia ime kategorizohet në një zhanër apo në një tjetër. Qëllimi që i kam vënë vetes dhe artit tim është pavdekshmëria.

Do të më bëhej shumë qejfi nëse fotoja ime do të njihej si e imja pa patur emrin të shënuar. Ky është qëllimi dhe e shoh që ndodh çdo ditë e më shumë.

Cilat janë disa karakteristika të tuat që i reflekton në artin tënd?

Detaji më karakterizon në nivel personal.

Nëse një plan nuk ka detaj, nuk mundem të shkrep. Ndodh në formë instiktive dhe së fundmi më ndodh gjithnjë e më shumë të shkrep instiktivisht. Po e lejoj veten të udhëhiqem nga intuita.

Intuita mund të jetë një formë arti, por duhet të kontrollohet që ky burim energjie të kanalizohet drejt një fuqie të madhe shprehëse.

Cilat janë sfidat, me të cilat je përballur gjatë rrugëtimit tënd artistik?

Nuk do t’i quaja sfida. Jam natyrë impulsve dhe fatkeqësisht ekstreme, gjë që dallohet edhe në fotografi.

Por kjo është pjesë e natyrës time dhe transmetohet kudo.

Si është situata e artit të fotografisë në Shqipëri?

Mendoj që ka vajza dhe djem shumë të talentuar. Them se ka shumë hapësira zhvillimi pasi në shumë aspekte jemi ende duke nxënë dhe në këtë drejtim ka vend për të bërë realisht një punë të mirë.

Ka ndonjë shkrepje të momenteve historike që e ke përzemër?

Ka shumë. Madje edhe të fotografëve shqiptarë që kanë patur fatin të dëshmojnë momente historike me rëndësi. Eksodi i viteve 90’ ka qenë ndër këto momente.

Do kishe dashur të jetoje në një moment apo dimension tjetër për ta zhvilluar këtë art?

Jo, jam i kënaqur me veten, me vendin dhe momentin në të cilin jetoj.