Rekujem për Artin Popullor Shqiptar: Rexhep Çeliku, Humbje e Hidhur!

“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Ky ishte motivacioni i dekoratës “Nder i Kombit” që iu akordua Rexhep Çelikut vetëm katër ditë përpara shuarjes së trishtë në një moshë relativisht të re.

Imazhi stoik i Rexhep Çelikut prej një burri krenar, i cili përfaqëson vlerat e vërteta të të qenurit shqiptar dhe tiparet e gdhendura nga madhështia e performimit në mënyrë prestigjoze në skenë, janë pikërisht çfarë na vjen në mendje në një ditë të dhimbshme si e sotmja.

Dashuria e tij për vallen popullore dhe pasioni që i lexohet në sy teksa performon valle si ajo e shqiponjave dhe shumë të tjera përfaqësojnë kontributin e madh të tij për artin autokton shqiptar.

Ndonëse imazh paksa i mjegullt për grupmoshat e reja, kjo për arsye të qasjes së pakët të rinisë në artin popullor shqiptar, është pothuajse e pamundur të keni shpëtuar pa u rrënqethur nga intensiteti dhe energjia e Rexhep Çelikut në skenë, i njohur ndryshe si vallëtari fluturues dhe padyshim ambasador dinjitoz i artit shqiptar në botë.

Titulli ambasador është fryt i 8’000 shfaqjeve dhe 32’000 roleve brenda dhe jashtë vendit, kontribut që gëzon një respekt të jashtëzakonshëm në rrethet e artistëve e më gjërë.

Arti i vërtetë është ai që buron nga dashuria dhe pasioni në tërësi dhe në veçanti nga dashuria për emocionin e vertetë që përcillet te audienca. E nëse ndodh kështu, arti të ngre në një nivel krejt tjetër. Kjo e bën Rexhep Çelikun të pavdekshëm në mendjet dhe zemrat tona.

Paqe për njeriun e bukur, Rexhep Çeliku!